Nis monitorimi i tregut të bukës në Korçë nga Autoriteti i Konkurrencës
Autoriteti i Konkurrencës ka nisur kontrolle në tregun e bukës në Korçë pasi prodhuesit njoftuan rritjen e çmimit nga 120 në 150 lekë, një shtim prej mbi 25 për qind.
Autoriteti i Konkurrencës bëri të ditur se ka ngritur menjëherë një grup pune për të monitoruar tregun e prodhimit dhe shitjes së bukës në qytetin e Korçës. Vendimi erdhi pasi në media u publikuan informacione se ndërmarrjet e këtij sektori kishin njoftuar pikat e shitjes për rritjen e çmimit të bukës nga 120 lekë në 150 lekë.
Sipas institucionit, kjo rritje e njëkohshme e çmimit me mbi 25 për qind ka ngritur dyshime për një sjellje të koordinuar në treg. Për këtë arsye, në zbatim të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, autoriteti ka nisur verifikime në terren për të parë nëse ky vendim po zbatohet nga ndërmarrjet dhe nëse ka elemente të shkeljes së ligjit.
Kontrolle për marrëveshje të mundshme në treg
Autoriteti i Konkurrencës thekson se ligji ndalon çdo marrëveshje mes ndërmarrjeve që ka si objekt ose si pasojë kufizimin apo shtrembërimin e konkurrencës në treg. Kjo përfshin edhe rastet kur operatorët caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë çmimet e blerjes apo të shitjes së produkteve.
Në rast se konstatohet një marrëveshje e paligjshme mes ndërmarrjeve të tregtimit të bukës, shkelja konsiderohet kundërvajtje administrative dhe mund të ndëshkohet me gjobë deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të subjekteve të përfshira.
Rritja e çmimit lidhet me kostot e transportit
Sipas operatorëve të tregut në Korçë, rritja e çmimit të bukës lidhet me shtimin e kostove të transportit pas bllokimit disa ditor të rrugës në juglindje të vendit. Situata u krijua pas shembjes së aksit Librazhd–Prrenjas, e cila vështirësoi furnizimin dhe rriti shpenzimet për bizneset. Megjithatë, qarkullimi në këtë aks është rikthyer tashmë në normalitet, pas ndërhyrjeve provizore të realizuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.